Vuri bast 30,000 dollarë se Maduro do të përfundonte në një burg në SHBA, fitoi 408,000

Pak para sulmit të ushtrisë amerikane ndaj Venezuelës për të kapur presidentin Nicolás Maduro, një llogari e sapokrijuar në platformën e parashikimeve Polymarket bëri një bast të madh – 30,000 dollarë – duke parashikuar se Maduro do të përfundonte në burg në SHBA.
Brenda 24 orëve, basti u kthye në një fitim prej mbi 408,000 dollarësh.
Investimi u bë një ditë para veprimit ushtarak dhe nxiti spekulime në rrjetet sociale, me disa që sugjeruan se personi mund të ketë vepruar mbi informacion të brendshëm, ndoshta me lidhje në Pentagon.
Joe Pompliano, investitor dhe podkaster, theksoi se “tregtia me informacion të brendshëm jo vetëm që lejohet në tregjet e parashikimeve; ajo madje inkurajohet”.
Në të kaluarën, tregjet e parashikimeve kanë parë raste të ngjashme, ku kompanitë zakonisht nuk ndërhyjnë, duke e konsideruar funksionin kryesor të tyre dhënien e informacionit dhe njohurive, më shumë sesa një fushë loje të barabartë për investitorët.