Universiteti i Prishtinës lançon “Warm UP”, Shkollën e parë Dimërore për Metodat e Kërkimit

Universiteti i Prishtinës lançon “Warm UP”, Shkollën e parë Dimërore për Metodat e Kërkimit

Për herë të parë në historinë e tij, Universiteti i Prishtinës ka themeluar Shkollën Dimërore “Warm UP” – Winter Academy of Research Methods, një iniciativë që synon të bëhet pjesë e përhershme e kalendarit akademik. Edicioni i parë do të mbahet nga 25 deri më 27 shkurt 2026, duke bashkuar profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë në një platformë të përbashkët akademike.

Sipas njoftimit zyrtar, “Warm UP” synon të avancojë studimet e doktoratës dhe kërkimin shkencor, duke u shndërruar në një pikëtakim të qëndrueshëm për studiues me përvojë dhe për ata në fillim të karrierës së tyre. Gjatë sesioneve do të trajtohen praktikat më të mira për dizajnimin e programeve të doktoratës, sfidat e tyre, financimi i kërkimit shkencor dhe orientimi drejt nevojave të shoqërisë dhe industrisë.

Një fokus i veçantë do t’i kushtohet programeve të doktoratës në UP, si dhe një kolokiumi doktoral me studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), përfshirë ata që kanë realizuar qëndrim kërkimor në Qendrën SnT të Universitetit të Luksemburgut. Studentët do të prezantojnë punën dhe përvojat e tyre kërkimore, duke krijuar një urë bashkëpunimi ndërkombëtar.

Këtë vit, Shkolla Dimërore “Warm UP” mbështetet nga LuxDev dhe Ambasada e Mbretërisë së Luksemburgut në Kosovë, në kuadër të projektit “Shkathtësitë për punësim të qëndrueshëm në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i zbatuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me LuxDev. Kjo iniciativë pritet të forcojë më tej profilin kërkimor dhe ndërkombëtarizimin e Universitetit të Prishtinës.