Tre Filma Ndërkombëtarë në Mitrovicë – PriFest prezanton “Moving Cinema”

Tre Filma Ndërkombëtarë në Mitrovicë – PriFest prezanton “Moving Cinema”

PriFest – Prishtina International Film Festival, në bashkëpunim me qendrën alternative kulturore 7ARTE në Mitrovicë, sjell nismën e re “Moving Cinema”, duke afruar kinemanë e pavarur dhe filmat më të vlerësuar në qytete të ndryshme të Kosovës.

Në këtë mbrëmje, e cila do të zhvillohet më 5 nëntor 2025 në orën 19:00 në ambientet e 7ARTE, publiku i Mitrovicës do të ketë mundësinë të shijojë tre filma të shkurtër ndërkombëtarë, me histori të fuqishme dhe emocionale nga Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, SHBA dhe Franca. Hyrja është falas.

Filmat e programuar janë:

  1. WE HAD FUN (C’était bien)
    • Regjisore dhe skenariste: Linda Lô
    • Vendi: Francë
    • Koha: 18 min
    • Përshkrimi: Në Bordeaux, gjatë Krishtlindjeve të vitit 1987, dy fëmijë, Linda (5) dhe Biram (9), jetojnë larg nënës së tyre. Kur vëllai i madh largohet për fundjavë, ata përjetojnë për herë të parë magjinë e borës. Një aventurë e pafajshme që merr kthesë të rrezikshme, duke sjellë një histori të ngrohtë për fëmijërinë, mungesën dhe guximin për të ëndërruar.
  2. THREE KEENINGS
    • Regjisor: Oliver McGoldrick
    • Vendet: Mbretëria e Bashkuar / Irlanda / SHBA
    • Koha: 10 min
    • Përshkrimi: Ian, një aktor i papunë, merr rolin e një vajtuesi profesionist. Ndërsa performanca përzihet me emocionet e tij të vërteta, ai fillon të pyetet ku përfundon arti dhe ku fillon dhimbja. Një reflektim i ndjeshëm mbi jetën, vdekjen dhe mënyrat se si njeriu përpiqet t’i japë kuptim humbjes përmes rolit që luan.
  3. ONE PUNCH
    • Regjisor: Huse Monfaradi
    • Vendi: Mbretëria e Bashkuar
    • Koha: 10 min
    • Përshkrimi: Jamin, një i ri në rrugë të gabuar, vizitohet nga prindërit e një djali që ai ka vrarë në një përleshje rrugësh. Filmi eksploron fajin, humbjen dhe mundësinë e faljes në një realitet të shënuar nga dhuna dhe pendesa.

Me programin MOVING CINEMA, PriFest synon të afrojë kinemanë më pranë publikut dhe të promovojë filma të pavarur dhe zëra të rinj nga mbarë bota.