TikTok shmang ndalimin në SHBA përmes një marrëveshjeje të re

TikTok ka finalizuar një marrëveshje për krijimin e një sipërmarrjeje të re të përbashkët në SHBA, me pronësi shumicë amerikane, duke shmangur rrezikun e ndalimit të aplikacionit.
Lajmi u konfirmua nga kompania mëmë kineze, ByteDance, e cila tha se marrëveshja siguron mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve amerikanë përmes masave të avancuara të privatësisë dhe sigurisë kibernetike.
Sipërmarrja e re, “TikTok USDS Joint Venture LLC”, do të zotërohet 80.1% nga investitorë amerikanë dhe globalë, ndërsa ByteDance do të mbajë 19.9%.
Tre investitorët kryesorë — Oracle, Silver Lake dhe MGX — do të kenë secili nga 15% të aksioneve. Algoritmi i rekomandimeve do të ritestohet dhe të dhënat e përdoruesve amerikanë do të ruhen në cloud-in e Oracle.
Kjo marrëveshje vjen pas viteve përplasjeve me autoritetet amerikane, që nisën në gusht 2020, kur Donald Trump tentoi ndalimin e TikTok për arsye sigurie kombëtare.
Presidenti Trump e përshëndeti marrëveshjen në një postim në rrjetet sociale, duke deklaruar se TikToku “tani do të zotërohet nga një grup patriotësh dhe investitorësh të mëdhenj amerikanë”.
Ai falënderoi gjithashtu presidentin kinez Xi Jinping për miratimin e marrëveshjes.
Sipërmarrja e re do të merret me menaxhimin e të dhënave të përdoruesve amerikanë, aplikacionit dhe algoritmit të rekomandimeve. Algoritmi do të ritestohet dhe përditësohet duke përdorur të dhëna amerikane dhe do të ruhet në cloud-in amerikan të Oracle.