Teatri Kombëtar i Kosovës nis vitin 2026 me premierën “Gërrdia”

Teatri Kombëtar i Kosovës nis vitin 2026 me premierën “Gërrdia”

Teatri Kombëtar i Kosovës e nis vitin 2026 me një premierë të fuqishme artistike.

19 janar 2026, me fillim nga ora 20:00, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë shfaqjen “Gërrdia”, një dramë bashkëkohore që vjen si fituese e Konkursit të Dramës Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” 2023.

“Gërrdia” mban autorësinë dhe regjinë e Astrit Kabashit, i cili sjell në skenë një tekst dramatik të thellë dhe tronditës, duke trajtuar tema të ndjeshme shoqërore përmes një gjuhe skenike të drejtpërdrejtë dhe intensive.

Shfaqja synon të provokojë reflektim dhe debat, duke e vendosur spektatorin përballë realiteteve të ashpra dhe emocioneve të forta njerëzore.

Në role kryesore interpretojnë aktorët Bujar Ahmeti, Maylinda Kosumovic dhe Rebeka Qena, të cilët përmes lojës së tyre aktoriale ndërtojnë tensionin dramatik dhe thellojnë konfliktet e veprës.

Skenografia është realizuar nga Arben Shala, ndërsa kostumografia nga Yllka Brada, duke krijuar një ambient vizual që përforcon atmosferën e shfaqjes.

Muzika origjinale e Memli Kelmendit shoqëron narrativën skenike dhe i jep ritëm e ndjeshmëri rrëfimit.

Ekipi artistik dhe teknik përfshin gjithashtu: Lendi Aliu (asistent regjisor), Mursel Haziri (ispicient), Bujar Bekteshi (ndriçimi), Avdi Gervalla (tonist), ndërsa fotografitë e shfaqjes janë realizuar nga Kushtrim Haxha.

Teatri Kombëtar i Kosovës njofton se gjatë shfaqjes do të ketë krisma armësh, prandaj publiku ftohet të ketë parasysh këtë paralajmërim.

Rezervimi i biletave bëhet duke dërguar SMS me emrin, mbiemrin dhe numrin e biletave në numrin: 044 430 693 ☎️.

“Gërrdia” shënon një hap të rëndësishëm në repertorin teatrore të vitit 2026 dhe premton një përvojë skenike të fuqishme për publikun dashamirës të teatrit.