Supremja shfuqizon dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë

Supremja shfuqizon dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë

Gjykata Supreme e Kosovës ka goditur procesin e liberalizimit të tregut të energjisë, duke shfuqizuar dy nene kyçe të udhëzuesve të nxjerrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Në arsyetim, gjykata thotë se këto dispozita kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për mijëra konsumatorë dhe biznese në vend.

Padia e parashtruar nga Oda Ekonomike e Kosovës kundër ZRRE-së u pranua plotësisht nga Supremja, e cila shpalli të paligjshëm nenin 8 të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë (2017), si dhe nenin 2 të udhëzuesit të ndryshimeve të këtij dokumenti. Sipas gjykatës, këto akte nënligjore nuk ishin në përputhje me ligjin për energjinë elektrike dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Supremja theksoi se kufiri ndërmjet konsumatorëve që duhet të furnizohen në “treg të lirë” dhe atyre që kanë të drejtën e furnizimit universal nuk ishte përcaktuar qartë. Kjo, sipas gjykatës, ka sjellë konfuzion dhe ka cenuar parimin e sigurisë juridike.

Vendimi i ZRRE-së i qershorit, i cili detyronte të gjitha bizneset e mëdha – me mbi 50 punëtorë dhe qarkullim mbi 10 milionë euro – të largoheshin nga tarfiat e rregulluara dhe të blinin energjinë në tregun e lirë, prekte rreth 1.300 kompani që konsumojnë 37% të energjisë së përgjithshme. Komuniteti i biznesit e kundërshtoi fuqishëm këtë politikë, duke paralajmëruar goditje ekonomike dhe rritje drastike të kostove.

Shembull konkret për ndikimin e këtij vendimi është kompania “Pestova”, e cila që nga hyrja në treg të lirë ka parë faturat të rriten mbi 100%, duke e detyruar të pezullojë punësimin e 20 punëtorëve dhe të ndalojë një linjë të re prodhimi – pavarësisht se ka konsumuar 4% më pak energji krahasuar me vitin e kaluar.