Spanjishtja lë pas frëngjishten? Si po bëhet gjuha më “cool” për t’u mësuar në botë

Kur Bad Bunny u ngjit në skenën e Super Bowl, mesazhi ishte i qartë: spanjishtja nuk është më thjesht një gjuhë – është trend global. Kështu shkruan kolumnisti i The Guardian, Gary Nunn, i cili rrëfen përpjekjet e tij për të mësuar spanjisht në moshën 41-vjeçare, pasi u zhvendos në Argjentinë.
Nga pikëpamja numerike, argumenti është i fortë: spanjishtja ka rreth 484 milionë folës amtarë, duke qenë gjuha e dytë më e folur në botë si gjuhë amtare, ndërsa frëngjishtja mbetet shumë më poshtë. Megjithatë, në Britani, frëngjishtja vazhdon të dominojë në shkolla. Deri në vitin 2025, ajo ofrohej në rreth 70% të shkollave fillore, ndërsa spanjishtja vetëm në 26%.
Por nxënësit po e ndryshojnë këtë realitet. Në Angli, për herë të parë, spanjishtja u bë gjuha më e zgjedhur në provimet GCSE, duke lënë pas frëngjishten. Edhe në Skoci, ajo e tejkaloi rivalen e saj tradicionale. Sipas ekspertëve si Eleonore Smalle, mësimi i një gjuhe është shumë më i lehtë para moshës 12-vjeçare – çka e bën zgjedhjen e hershme vendimtare.
Ndërkohë, kultura latine po fiton terren globalisht. Në Medellín dëgjohen kudo hitet e Karol G dhe Maluma, ndërsa emra si Rosalía po dominojnë skenën ndërkombëtare. Sipas Nunnit, nëse duam që të rinjtë të jenë qytetarë globalë, duhet t’u ofrojmë informacion real dhe zgjedhje që i përgatisin për botën e sotme – një botë që gjithnjë e më shumë flet spanjisht.