Sonte në Teatrin e Gjilanit, “The Public Eye”: kur dashuria vihet nën hetim

Sonte, e hënë, 15 dhjetor, nga ora 20:00, skena e Teatrit të Gjilanit shndërrohet në një zyrë hetimi ku asgjë nuk është ashtu siç duket. Komedia teatrale “The Public Eye” e dramaturgut të njohur Peter Shaffer, me regji të Shkelzen Berishës, vjen për publikun gjilanas me një interpretim që shkon përtej humorit klasik.
Në qendër të shfaqjes është një martesë që mban sekrete, një marrëdhënie që lëkundet mes dashurisë dhe dyshimit, dhe një detektiv që nuk është thjesht profesionist. Në këtë lexim regjisorial, ai shndërrohet në figurën alegorike të “dreqit” – zëri i brendshëm që na shtyn të dyshojmë, të frikësohemi dhe të shohim realitetin përmes syrit të pasigurisë.
Me interpretimet e Ali Demit, Djellza Demës dhe Art Pashës, shfaqja ndërton një lojë të hollë mes xhelozisë, intimitetit dhe hetimit psikologjik. Detektivi nuk kërkon vetëm prova, por shuan iluzione, ndez dyshime dhe i kthen sekretet njerëzore në art skenik.
“The Public Eye” është një produksion i Ali Demit, i përkrahur nga Ministria e Kulturës, dhe fton publikun të qeshë, të reflektojë dhe të pyesë veten: a është syri publik gjithmonë i drejtë, apo shpesh i drejtuar nga frika?

Biletat mund të sigurohen në numrin 044 222 525 ose drejtpërdrejt në Teatrin e Gjilanit.