Sonte në Prizren shfaqet dokumentari “Arbëreshë 1: Hora e Arbëreshëvet”

Sonte, më 1 nëntor, me fillim nga ora 18:00, në Cineplexx Galeria Mall – Prizren, do të shfaqet dokumentari “Arbëreshë 1: Hora e Arbëreshëvet”, i realizuar nga gazetarja Vesa Guhelli dhe financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Dokumentari paraqet rezultatet e një hulumtimi të gjerë mbi kulturën, gjuhën dhe trashëgiminë e komunitetit arbëresh, duke trajtuar sfidat me të cilat ai përballet në ruajtjen e identitetit të vet kulturor dhe gjuhësor.
Përmes intervistave me studiues, artistë dhe përfaqësues të komunitetit arbëresh, filmi sjell një pasqyrë të thellë të pasurisë historike e shpirtërore të këtij komuniteti, i cili, ndonëse bart një trashëgimi të lashtë, përballet me rrezikun e humbjes për shkak të mungesës së dokumentimit dhe promovimit të mjaftueshëm.
Projekti synon të forcojë lidhjet kulturore mes Kosovës dhe komuniteteve arbëreshe, duke kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e trashëgimisë shqiptare në hapësirat ku jetojnë pasardhësit e arbëreshëve.
Kjo mbrëmje kulturore në Prizren pritet të sjellë më afër rrënjët e përbashkëta shqiptare, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kulturor.