Siria njeh pavarësinë e Kosovës – njohja e 120-të për Republikën e Kosovës

Siria ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë shteti i 120-të që e njeh Kosovën.
Lajmi u konfirmua nga Presidentja Vjosa Osmani, e cila falënderoi Presidentin Al Sharaa të Sirisë dhe Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman, për mbështetjen që bëri të mundur këtë akt historik.
Në deklaratën e saj, Siria thekson se njohja bazohet në besimin për të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe përkushtimin për paqe dhe stabilitet në Ballkan. Damasku pret të vendosen marrëdhënie diplomatike dhe bashkëpunim dypalësh në fushat politike, ekonomike dhe kulturore.
Kjo vjen pas njohjeve nga Kenia dhe Sudani, duke bërë Sirinë shtetin e tretë që e njeh Kosovën këtë vit, dhe një hap tjetër drejt forcimit të pozitës ndërkombëtare të vendit tonë.