Shtyhet fillimi i mësimit për shkak të vërshimeve, nxënësit kthehen më 12 janar

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se fillimi i procesit mësimor në të gjitha shkollat e vendit është shtyrë deri më 12 janar për shkak të vërshimeve që po ndikojnë në shumicën e komunave.
Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), reshjet e vazhdueshme kanë shkaktuar vështirësi në komunikacion, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafikun urban dhe rural.
“Pas analizës së situatës në terren dhe konsultimeve me Drejtoritë Komunale të Arsimit, është konstatuar se fillimi i mësimit sipas planit për ditën e enjte është i pamundur,” ka deklaruar Nagavci.
Ministria bëri me dije se orët e humbura gjatë këtyre ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.