Shqipëria shkëlqen në Kampionatin Botëror të Degustimit të Verërave në Francë

Shqipëria ka shkruar edhe një kapitull të ri në historinë e saj të verës, duke marrë pjesë për të tretën herë në Kampionatin Botëror të Degustimit të Verërave, një ngjarje prestigjioze që u zhvillua më 3 dhe 4 tetor në kështjellën historike “Fort des Rousses” në rajonin e bukur të Jurës, Francë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi këtë pjesëmarrje si një mundësi unike për të promovuar jo vetëm kulturën e verës shqiptare, por edhe mikpritjen dhe bukuritë turistike të vendit tonë në skenën ndërkombëtare.
“Nën drejtimin e somelierit franko-shqiptar Serxhio Prelashi, ekipi ynë, ‘Team Albania’, përfaqësoi me krenari traditën dhe pasionin e verës shqiptare, duke sjellë në vëmendje destinacionet e njohura për kantinat dhe verërat e tyre unike,” u shpreh ministri Gonxhja.
Gjatë këtij aktiviteti prestigjioz, vizitorët ndërkombëtarë patën mundësinë të shijojnë produkte autentike nga kantinat shqiptare, të cilat tashmë kanë fituar vlerësime jo vetëm në tregun vendas, por edhe jashtë kufijve. Ky sukses është dëshmi e qartë e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit të verës në Shqipëri, një sektor që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.
Ministri theksoi gjithashtu se turizmi i verës është një prioritet strategjik për Shqipërinë, duke ofruar mundësi për diversifikimin e ofertës turistike dhe zgjerimin e sezonit turistik, ndërsa promovon produktet vendase me vlerë të shtuar dhe identitet unik.