Shqipëria, ndër vendet më të lira në Europë për të ngrënë jashtë

Shqipëria vijon të ruajë avantazhin e saj në çmime sa i përket ushqimit dhe akomodimit në restorante. Të dhënat zyrtare të Eurostat për vitin 2024 tregojnë se vendi renditet i dyti më i lirë në Europë, me kosto që arrin vetëm 52.3% të mesatares së Bashkimit Evropian. Vetëm Maqedonia e Veriut është më e lirë në këtë kategori, me një indeks prej 49.5.
Kjo do të thotë se një vakt i zakonshëm në Shqipëri kushton gati gjysmë më pak se mesatarja europiane, duke e bërë vendin më të përballueshëm se shtete të rajonit si Turqia, Rumania apo Bullgaria, dhe shumë më lirë se Italia, Franca apo Gjermania.
Edhe platforma ndërkombëtare Numbeo konfirmon këtë trend, ku Tirana renditet si një nga kryeqytetet më të lira për të ngrënë jashtë. Një vakt i thjeshtë për një person kushton mesatarisht 9 euro, ndërsa një darkë për dy persona rreth 22.50 euro. Të dhënat e Eurostat dhe Numbeo tregojnë se Shqipëria ofron një raport cilësi-çmim shumë konkurrues, veçanërisht për turistët nga vendet e Europës Perëndimore.