Shkrimtari Ibrahim Kadriu nderohet me çmimin “Nderi i Qytetit” nga Komuna e Gjilanit

Në një ceremoni të veçantë, shkrimtari i njohur i letrave shqipe, Ibrahim Kadriu, u nderua me çmimin më të lartë që Komuna e Gjilanit mund të japë – “Nderi i Qytetit”. Çmimin ia dorëzoi Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, z. Kushtrim Zeqiri, në emër të Kryetarit të Komunës, z. Alban Hyseni.
Ky nderim vjen si shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të Kadriut në kulturën kombëtare, në letërsinë shqipe dhe në ruajtjen e kujtesës historike e shpirtërore të popullit tonë. Përmes veprës së tij të pasur, Kadriu ka shndërruar fjalën shqipe në një mjet për të treguar historinë, përvojat dhe udhëtimet shpirtërore të kombit shqiptar.
Ceremonia u organizua në kuadër të 80-vjetorit të jetës së shkrimtarit, dhe në të u vlerësua veçanërisht libri i tij më i fundit, “Nëna e mbi treqind luftëtarëve”, kushtuar Nënë Stanës, simbol i sakrificës dhe trimërisë shqiptare gjatë luftës çlirimtare.
Në motivacionin e çmimit theksohet:
“Në nderim dhe mirënjohje të kontributit të dhënë në rrugëtimin e popullit të Kosovës për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, e në veçanti për angazhimin e tij të vazhdueshëm në shërbim të atdheut dhe kombit përmes letrave shqipe.”
Ky çmim është një falënderim dhe shprehje respekti për një jetë të tërë të kushtuar kulturës, artit dhe kombit shqiptar.