Rreth 20 mijë kosovarë kaluan fundjavën në bregdetin shqiptar

Edhe pse vera zyrtarisht ka përfunduar, bregdeti shqiptar vazhdon të mbetet destinacioni i preferuar i kosovarëve. Fundjava e dytë e shtatorit solli sërish fluks të madh lëvizjesh në pikën kufitare të Morinit, ku vetëm të shtunën u regjistruan rreth 20 mijë hyrje nga Kosova.
Të dhënat zyrtare flasin për 20 mijë shtetas dhe 7 mijë automjete që hynë në Shqipëri brenda 24 orëve të fundit, ndërsa 18 mijë shtetas dhe 6 mijë automjete dolën nga vendi.
Kosovarët tashmë po e shfrytëzojnë çdo fundjavë për të kaluar pushimet buzë detit, pavarësisht se temperaturat nuk janë më verore. Sa i përket çmimeve, mendimet e pushuesve mbeten të ndara. “Atje në Radhimë pak shtrenjtë. Tash të shohim këndej”, shprehet një vizitor.
Kujtojmë se, sipas marrëveshjes mes dy qeverive, qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë lëvizur të lirë pa kontrolle kufitare gjatë periudhës 1 maj – 30 shtator, çka ka lehtësuar dukshëm qarkullimin.