Riad Rashiti me mesazh për qytetarët: “Koha është për ndryshim dhe përkushtim ndaj Gjilanit”

Vetëm një ditë para se qytetarët e Kosovës t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave të tyre, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Komunën e Gjilanit, Riad Rashiti, ka publikuar fjalimin e tij përmbyllës, duke falënderuar qytetarët për përkrahjen dhe vëmendjen gjatë fushatës zgjedhore, si dhe duke u bërë thirrje për besim në vizionin e tij për një qeverisje të ndershme, transparente dhe zhvillimore.
Pas një muaji fushatë intensive, me takime të vazhdueshme me qytetarë, biznese dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme, Rashiti u shpreh se ndjehet i nderuar për mundësinë që të prezantoj ofertën e PDK-së për një qeverisje të re lokale, të fokusuar në profesionalizëm, barazi dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Në adresimin e tij publik, Rashiti u shpreh me tone të përulura, duke theksuar përvojën e tij shumëvjeçare në shërbim të qytetarëve të Gjilanit:
“Të dashur qytetarë të Gjilanit, me përulësi dhe përgjegjësi, ju drejtohem si kandidat për Kryetar të Komunës së Gjilanit, i vetëdijshëm për sfidat e mëdha dhe pritjet e juaja. Unë nuk i jam imponuar politikës, por për vite me radhë jam munduar të ndërtoj një profil të qëndrueshëm e profesional në shërbim të interesit publik.”
Rashiti kujtoi kontributin e tij si drejtor komunal, këshilltar i Kuvendit Komunal dhe pjesëmarrës aktiv në shumë procese vendimmarrëse, duke theksuar se kjo përvojë i ka dhënë njohuritë reale për funksionimin e komunës, për sfidat në terren dhe për domosdoshmërinë e një qasjeje të re ndaj nevojave të qytetarëve.
Ai theksoi se kandidatura e tij nuk është kërkim për pozitë, por një angazhim për besim, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve:
“Sot, nuk po kërkoj një detyrë të re, por kërkoj besimin tuaj për të udhëhequr me dinjitet dhe përkushtim.”
Në vijim të fjalimit, kandidati i PDK-së nënvizoi se platforma e tij nuk është një listë premtimesh, por një kontratë e hapur mirëbesimi me qytetarët e Gjilanit, e ndërtuar mbi transparencë, barazi, profesionalizëm dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Në përmbyllje të fjalimit të tij, Rashiti dërgoi një mesazh të qartë për ndryshim, duke ftuar qytetarët që të jenë pjesë e këtij procesi demokratik:
“Qytetarë të nderuar, koha e zhgënjimeve duhet të marrë fund. Koha është për ndryshim. E për këtë na duhesh edhe ti!”
Riad Rashiti do të përfaqësojë Partinë Demokratike të Kosovës në garën për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet lokale që mbahen më 12 tetor 2025, një garë që pritet të jetë e ngushtë dhe me interes të madh publik, ku qytetarët do të vendosin për drejtimin e ardhshëm të komunës.