Riad Rashiti: Këto janë zotimet e PDK-së për mbështetjen e bizneseve në Gjilan

Riad Rashiti: Këto janë zotimet e PDK-së për mbështetjen e bizneseve në Gjilan

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjilanit, Riad Rashiti, ka prezantuar një paketë zotimesh për mbështetjen dhe zhvillimin e bizneseve në qytet, me synim të rivitalizojë ekonominë lokale dhe të krijojë mundësi reale për të rinjtë dhe gratë sipërmarrëse.

“Shumë biznese kanë lënë Gjilanin duke kërkuar kushte më të favorshme. Kjo nuk duhet të ndodhë më. Ne do t’i fuqizojmë bizneset, do t’i lehtësojmë procedurat dhe do të krijojmë mundësi reale për të rinjtë dhe gratë. Me secilin zotim, Gjilani bëhet vend ku bizneset qëndrojnë, e padyshim edhe rriten,” tha Riad Rashiti gjatë prezantimit.

Zotimet kryesore të Partisë Demokratike dhe Riad Rashitit për bizneset janë:

  • Themelimi i Drejtorisë së Investimeve për tërheqjen, koordinimin dhe mbështetjen e investitorëve.
  • 500 hektarë tokë komunale në dispozicion për investime strategjike nga diaspora dhe sektori privat.
  • Infrastrukturë moderne për mini-zonat industriale ekzistuese, duke lehtësuar zhvillimin e bizneseve aktuale.
  • Partneritet i fuqishëm me diasporën dhe investitorët e huaj, me paketa lehtësuese për investime në Gjilan.
  • Zero taksë për lejet ndërtimore për bizneset prodhuese dhe ato që zgjerojnë kapacitetet e tyre.
  • Subvencione për shkollat private profesionale, që aftësojnë të rinjtë për tregun lokal dhe ndërkombëtar të punës.
  • Dyfishim i Fondit për Start-up dhe grante 5–10 mijë euro për biznese të reja dhe inovative.
  • Krijimi i Fondit Komunal për Garanci dhe Subvencionim të Interesit.
  • Mbështetje për biznese të gjelbra për efikasitet energjetik, panele diellore dhe riciklim.
  • Thirrje transparente dhe procedura të shpejta për grante, subvencione dhe leje biznesore.