Repriza e parë e shfaqjes “Babai” sonte në Teatrin Eksperimental – Një përvojë teatrale që sfidon perceptimet

Dje u dha premiera e një prej dramave më prekje shpirtërore të Florian Zeller-it, “Babai”, në regji të Erson Zymberi, dhe sonte skena e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë do të ndriçohet nga repriza e parë e kësaj shfaqjeje. Një histori që rrëfen fragmentimin e kujtesës dhe thellësinë e lidhjeve familjare, kjo shfaqje premton të mbërthejë audiencën nga sekonda e parë deri në aktin përmbyllës.
Në qendër të këtij tregimi është André, një burrë në moshë që përballet me humbjen graduale të orientimit dhe shpërndarjen e kujtesës së tij. Ndërsa vajza e tij, Ana, përpiqet ta mbajë të lidhur me realitetin dhe botën përreth, audienca përjeton një rrugëtim emocional mes dashurisë, kujtesës dhe trishtimit që e shoqëron plakjen. Kjo tragjikomedi intime, e cila tejkalon thjesht temën e demencës, flet për dinjitetin, kujdesin dhe dritën e fundit të dashurisë që mbetet edhe kur kujtesa shuhet.
Interpretimi i Viktor Zhusti është i jashtëzakonshëm, duke sjellë një portret të thellë dhe të ndjeshëm të André, ndërsa Egla Ceno, Pjerin Vlashi, Linda Jarani dhe Adriana Tolka plotësojnë trupën me emocione të pastra dhe interpretime të fuqishme, duke e bërë çdo skenë një përvojë të paharrueshme për spektatorin.
Florian Zeller, autori francez i njohur ndërkombëtarisht për dramën e tij të thellë psikologjike dhe trajtimin e kujtesës dhe identitetit, ka krijuar një triologji të jashtëzakonshme dramatike që përfshin veprat “Babai”, “Nëna” dhe “Djali”. Secila prej këtyre dramave eksploron ndërlikimet e marrëdhënieve familjare, sfidat e plakjes dhe fragmentimin e kujtesës, duke i vendosur karakteret përballë humbjeve dhe dashurisë që reziston ndaj harresës. Veprat e tij janë interpretuar dhe vlerësuar globalisht, duke fituar zemrat e publikut dhe kritikëve në të gjitha skenat ku janë shfaqur.
“Babai” do të luhet në skenën e Teatrit Eksperimental sonte më 10 tetor, më 11 dhe 12 tetor, duke ofruar spektatorëve mundësinë të përjetojnë këtë histori tronditëse në disa repriza.
Ky produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është një përvojë teatrale që sfidon perceptimet tona për kujtesën dhe marrëdhëniet njerëzore, duke sjellë një kombinim të rrallë të dhimbjes, dashurisë dhe bukurisë së pafajshme të jetës.