Riad Rashiti premton 4.4 milionë euro për studentët dhe të rinjtë e Gjilanit

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjilanit, Riad Rashiti, ka shpallur zotimet e tij për mbështetjen e studentëve dhe të rinjve, duke premtuar një investim prej 4.4 milionë eurosh në këtë sektor gjatë mandatit të ardhshëm.
Në planprogramin e tij, Rashiti ka përfshirë disa masa konkrete që synojnë fuqizimin e rinisë, përmirësimin e kushteve të studimit dhe hapjen e mundësive të reja për punësim:
- Bursa deri në 1000 euro për studentët e dalluar dhe ata nga familjet në nevojë.
- Kurse falas në fusha si programim, dizajn grafik, marketing digjital dhe freelancing.
- Praktika me pagesë për nxënësit e shkollave profesionale në bizneset lokale.
- Programe shkëmbimi me universitete dhe shtete të tjera, për të rritur përvojën akademike dhe profesionale.
- Qendra e Inovacionit dhe Start-up-eve, e cila do të ofrojë hapësira pune, trajnime dhe mentorim për të rinjtë ndërmarrës.
- Programi “Rinia në Punë”, përmes të cilit komuna do të subvencionojë krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë që punësohen për herë të parë.
“Këto e shumë më shumë, realizohen vetëm me ne, sepse me ne është #Mamirë për të gjithë!”, tha Rashiti.