“Rage bait” shpallet fjalë e vitit nga Oxford University Press

Oxford University Press ka shpallur fjalën e vitit për 2025, duke zgjedhur termiN “rage bait”.
Ky koncept përshkruan përmbajtjen online që krijohet me qëllim për të provokuar, irrituar ose nxehur përdoruesit, në mënyrë që ata të klikojnë më shumë dhe të angazhohen me postimet.
Sipas të dhënave të Oxford Languages, përdorimi i termit “rage bait” është trefishuar gjatë vitit të fundit.
Kjo rritje reflekton një ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh të publikut për taktikat e manipulimit të përdorura nga platformat digjitale dhe krijuesit e përmbajtjes online.
Casper Grathwohl, president i Oxford Languages, thekson se zgjedhja e këtij termi tregon se njerëzit po bëhen më të vetëdijshëm për mënyrat se si vëmendja e tyre tërhiqet dhe manipulohet në internet.
Ekspertët shpjegojnë se përmbajtja e tipit “rage bait” synon reagime emocionale të forta, shpesh irritim ose zemërim, për të rritur trafikun dhe angazhimin online.
Për përdoruesit, kjo mund të ndikojë në stresin dhe tensionin gjatë navigimit në rrjetet sociale.
Pra, nëse gjatë scroll-it ndiheni të irrituar ose të tensionuar pa ndonjë arsye të qartë, tani e dini pse. Ky fenomen është bërë pjesë e ndërgjegjësimit global për ndikimin e mediave sociale mbi emocionet dhe sjelljet tona.