Prishtina nderon Vjosa Berishën me mural në qendër të qytetit

Komuna e Prishtinës ka përuruar një mural kushtuar Vjosa Berishës, themelueses së festivalit ndërkombëtar të filmit PriFest, në udhëkryqin e rrugëve “Garibaldi” dhe “Johan V. Hahn”.
Në ceremoninë përuruese, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e vlerësoi Berishën për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në kulturën e kryeqytetit.
“Vjosa ka lënë gjurmë të thella dhe vazhdon të jetojë në zemrat tona. PriFest është vetëm një prej punëve të saj më të mëdha. Ky mural është simbol i përhershëm i frymëzimit që ajo ka dhënë për gjeneratat e reja,” tha Rama.
Muralin e realizoi artistja Ermira, e cila e përshkroi veprën si një simbol të përhershëm të inspirimit që Vjosa ka dhënë për të rinjtë.
“Kam emocione të përziera. Ky mural do të jetë inspirim për të gjithë të rinjtë që një grua si Vjosa të jetë shembull në çdo rrugëtim,” u shpreh ajo.
Familja e Vjosa Berishës, përfshirë bashkëshortin Fatos Berisha dhe nënën Hysnie Istrefi, falënderuan artisten për këtë nderim. Me emocione, zonja Istrefi tha:
“Vjosa ende jeton në kujtesën dhe zemrat e njerëzve. Ka qenë energjike, e fjalës dhe e punës.”
Ky mural tashmë i shtohet peizazhit kulturor të kryeqytetit, duke shërbyer si kujtesë e përhershme për një nga figurat më të rëndësishme të artit filmik dhe kulturës në Kosovë.