PriFest sonte me dy premiera në Kino Armata

Prishtina sot merr frymë kinema, teksa PriFest sjell dy filma të veçantë në ekranin e Kino Armata-s.
Nga ora 17:00, publiku do të ketë rastin të shohë për herë të parë në Kosovë filmin “MOON”, të regjisores austriake Kurdwin Ayub (93 min). Ky film vjen si pjesë e programit Focus: Austria, realizuar në bashkëpunim me Austrian Film Institute dhe Ambasadën Austriake. Hyrja për këtë shfaqje është e lirë për të gjithë dashamirët e kinemasë.
Mbrëmja vazhdon në ora 19:30 me premierën rajonale të filmit “CYCLE”, të regjisorit Erkan Tahhuşoğlu, një bashkëprodhim mes Turqisë dhe Kosovës (81 min). I përfshirë në Përzgjedhjen Zyrtare të festivalit, ky film është në garë për çmimin e filmit artistik.
Pas emocionit të ekranit, festa zhvendoset në PriFest Lounge, ku TEB Bank mirëpret publikun me një after party dhe muzikë nga DJ Imanyam.
Biletat për filmin e mbrëmjes kushtojnë 3 euro dhe janë në dispozicion online përmes Rave Travel ose në sportelin e biletarisë në Kino Armata.