Presidentja Osmani nderohet në Itali me Çmimin Bonifacio VIII, vlerësim për paqe dhe bashkëpunim ndërfetar

Presidentja Osmani nderohet në Itali me Çmimin Bonifacio VIII, vlerësim për paqe dhe bashkëpunim ndërfetar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar në Anagni – i njohur si qyteti i Papëve – me Çmimin Bonifacio VIII, i ndarë nga Akademia Bonifaciana. Ky çmim i është dhënë në vlerësim të angazhimit të saj institucional për paqen dhe kontributit të vazhdueshëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe ndërfetar, raporton KosovaPress.

Ky vlerësim pasqyron misionin e Akademisë Bonifaciana, një institucion prestigjioz që promovon drejtësinë, dinjitetin njerëzor dhe paqen si vlera themelore të veprimtarisë së saj.

Çmimi Bonifacio VIII u është ndarë ndër vite personaliteteve të shquara botërore, përfshirë edhe Papa Gjon Palin II.

Me këtë rast, presidentja Osmani theksoi se ky vlerësim përforcon përkushtimin e saj ndaj vlerave universale, të cilat udhëheqin vizionin dhe veprimin institucional të Republikës së Kosovës në ndërtimin e paqes, dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve.