Përfundon asfaltimi i rrugës kryesore në lagjen “Dheu i Bardhë” në Gjilan

Përfundon asfaltimi i rrugës kryesore në lagjen “Dheu i Bardhë” në Gjilan

Pas disa javësh punime intensive, rruga kryesore e lagjes “Dheu i Bardhë” në Gjilan është tashmë e asfaltuar plotësisht.
Në njoftimin e Komunës së Gjilanit thuhet se ka përfunduar edhe segmenti i fundit i punimeve, duke përmbyllur kështu projektin për rregullimin e rrugëve dhe infrastrukturës përcjellëse në këtë zonë.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, së bashku me drejtorin për Shërbime Publike, Kushtrim Ibrahimi, kanë vizituar nga afër punimet në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, ku panë rezultatet e finalizuara të projektit që pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin për banorët e lagjes.

Ky investim është pjesë e planit të Komunës së Gjilanit për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët.