Performancë magjepsëse e Baletit Kombëtar në Venecia

Baleti Kombëtar i Kosovës ka shënuar një prej paraqitjeve më të rëndësishme në historinë e tij, duke debutuar me sukses në teatrin prestigjioz “Malibran” të Venecias, në kuadër të festivalit “Venezia in Danza”.
Trupa kosovare u ngjit në skenën e këtij teatri të shekullit XVII me baletin “Carmina Burana”, ndërthurje madhështore mes muzikës së Carl Orff dhe koreografisë së Toni Candeloros.
Që në performancën e parë, publiku venecian reagoi me ovacione të gjata, duke e pritur trupën me një entuziazëm që, sipas drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka qenë “jashtëzakonisht inkurajues”.
Në sallën me afër 900 ulëse, e mbushur pothuajse plot, publiku dhe kritikët e artit vlerësuan lëvizjet harmonike të balerinëve, sidomos finalen dramatike nën tingujt e “O Fortuna”, ku një balerinë ngrihet mbi supet e trupës – një moment që ndezi duartrokitje të fuqishme para mbylljes së shfaqjes.
Për trupën e baletit, përvoja në “Malibran” ishte jo vetëm artistike, por edhe profesionale, pasi teatri i ofron kushte model që mungojnë prej vitesh në Kosovë, sidomos pas mbylljes së Teatrit Kombëtar për renovim. “Balerinët dhe ekipi teknik kanë punuar në ambiente që i meritojnë dhe i duhen çdo institucioni tonë”, u shpreh Kajtazi.
Pas tri ditëve në Venecia, BKK udhëtoi drejt Potenzas, ku sonte pritet të shfaqë sërish “Carmina Burana”. Motivimi i trupës është rritur edhe më shumë pas pritjes së ngrohtë veneciane, ndërsa prezantimi në Itali shënon një hap të madh për institucionin shtetëror të baletit, duke e çuar artin kosovar në një prej skenave më të rëndësishme të Evropës.
Produksioni i “Carmina Burana”, i sjellë fillimisht në Prishtinë këtë verë si bashkëpunim mes Baletit, Filharmonisë dhe Operës së Kosovës, vazhdon të dëshmojë se arti skenik kosovar ka potencial dhe identitet të qartë – dhe tashmë edhe një jehonë ndërkombëtare më të fortë se kurrë.