PDK organizon takim me studentët në Gjilan me moton “Na duhesh edhe ti”

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me kandidatin për kryetar të Komunës së Gjilanit, Riad Rashiti, organizon sot një takim me studentët në kuadër të angazhimit për përfshirjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimin e komunës.
Në aktivitet pritet të marrë pjesë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili do të bashkëbisedojë me studentët mbi prioritetet e partisë dhe rolin e të rinjve në komunitet.
Aktiviteti zhvillohet në Shtëpinë e Rinisë pranë Sahat Kullës në Gjilan dhe synon të forcojë dialogun mes të rinjve dhe udhëheqësve lokalë, duke ofruar mundësinë që studentët të kontribuojnë me ide dhe sugjerime për një qytet më të zhvilluar.
Gjatë takimit do të prezantohet programi i qeverisjes së PDK-së për Komunën e Gjilanit, me theks të veçantë në pjesëmarrjen aktive të rinisë dhe përfshirjen e tyre në zhvillimin e komunës.
Takimi mbahet sot, më 23 shtator, duke filluar nga ora 18:00.
