PDK në Gjilan prezanton kandidaten Yllka Musmurati-Halimi për Kuvend Komunal

PDK në Gjilan prezanton kandidaten Yllka Musmurati-Halimi për Kuvend Komunal

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan, ka vazhduar fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit me prezantimin e kandidatëve për Kuvend Komunal. Sot, përmes faqes zyrtare në Facebook, është prezantuar Yllka Musmurati-Halimi, e cila garon me numrin 12 në listën e PDK-së.

Kandidati për kryetar të komunës, Riad Rashiti, ka bërë prezantimin e saj duke theksuar se Musmurati-Halimi është pjesë e rëndësishme e ekipit të tij.

Në postimin e saj, Musmurati-Halimi ka theksuar rëndësinë e barazisë gjinore dhe përfshirjes aktive të grave në jetën politike dhe shoqërore:

“Shoqëria shqiptare mund të quhet e përmbushur dhe e denjë në misionin e saj vetëm kur të dy gjinitë të jenë të respektuara në liritë e tyre të plota dhe të kenë hapësirën e plotë për veprim në shoqëri. Përveç ecjes kulturore që kërkon ky proces, jam e përkushtuar që në binarin politik të punoj me krejt energjitë e mia në Kuvendin e Gjilanit që ky mision të jetë i përmbushur.”

Në fund, ajo ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve, duke theksuar se ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të saj politik.