Parisi nderon Ismail Kadarenë me pllakatë përkujtimore në bulevardin Saint-Michel

Parisi nderon Ismail Kadarenë me pllakatë përkujtimore në bulevardin Saint-Michel

Këshilli Bashkiak i Parisit ka marrë një vendim të posaçëm për të nderuar shkrimtarin e madh shqiptar me famë botërore, Ismail Kadarenë, duke vendosur një pllakë përkujtimore në adresën 63 boulevard Saint-Michel, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite.

Vendimi u miratua me unanimitet mbrëmjen e 9 tetorit, duke shënuar një moment të veçantë nderimi për figurën që i dha zë ndërkombëtar letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Lajmi u bë publik nga Ambasada e Shqipërisë në Francë, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku theksohet rëndësia e këtij gjesti simbolik që përfaqëson mirënjohjen e Francës dhe të qytetit të dritave për krijimtarinë e Kadaresë.

Pikërisht në këtë adresë pariziene, Kadare shkroi disa prej faqeve më të rëndësishme të veprës së tij letrare, duke e bërë Parisin një pjesë të pandashme të universi të tij krijues.

Ky homazh i Këshillit Bashkiak të Parisit është një dëshmi e ndikimit të thellë që Kadare pati në letërsinë evropiane, por edhe një nder për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare, që përmes tij gjeti vend të denjë në arenën ndërkombëtare.

Nëpërmjet këtij akti përkujtimor, Franca risjell në kujtesë lidhjen e fortë shpirtërore dhe artistike që Ismail Kadare ndërtoi me Parisin, qytetin ku jetoi, krijoi dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë botërore.