Osmani nga Berlini: BE-ja duhet ta shohë Ballkanin si potencial, jo si barrë

Në një sallë plot studentë në Berlin, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, foli me tone të qarta: “Është koha që Ballkani Perëndimor të shihet si potencial, jo si barrë.”
Ajo theksoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të shihet si një domosdoshmëri strategjike për vetë BE-në, jo si çështje politike që pengohet nga interesat e disa shteteve. Osmani tha se mbështet propozimin për heqjen e të drejtës së vetos brenda Këshillit të BE-së, pasi shpesh “një vend i vetëm ka bllokuar vullnetin e gjithë Unionit.”
Sipas saj, Kosova e ka përshtatur 100% politikën e jashtme me atë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë, ndryshe nga Serbia, që ende “luan në dy karrige”. Presidentja kujtoi se sa më afër të jetë rajoni me BE-në, aq më shumë paqe e siguri do të ketë në Evropë.
“Serbia dhe Rusia po tentojnë të minojnë demokracinë dhe sovranitetin e Kosovës përmes destabilizimit dhe dezinformimit,” tha ajo, duke përsëritur se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt Evropës.