Nju-Jorku nderon Kosovën: rezolutë e veçantë për 18-vjetorin e pavarësisë

Kosova është nderuar edhe një herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Senati i Nju-Jorkut ka miratuar një rezolutë të veçantë që përkujton 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, duke e kthyer këtë datë në një moment simbolik edhe për institucionet amerikane.
Nisma është mbështetur dhe promovuar nga senatorja Jessica Scarcella-Spanton, e cila ka qenë sërish ndër zërat kryesorë në përkrahje të Kosovës. Ajo ka theksuar rëndësinë e kësaj rezolute dhe ka shprehur kënaqësinë që mirëpret qytetarët e Kosovës në Kapitolin e Nju-Jorkut.
“Jam e nderuar që edhe një herë po e promovoj këtë rezolutë dhe po i mirëpres njerëzit e Kosovës në Kapitolin tonë për të festuar pavarësinë e tyre”, ka deklaruar Scarcella-Spanton, duke ndarë krenarinë për kulturën dhe traditat kosovare.
Senatorja ka vënë në pah edhe rolin e komunitetit kosovar në këtë shtet amerikan, duke theksuar se mbetet e përkushtuar të festojë dhe promovojë vlerat e tyre. Rezoluta e miratuar në Nju-Jork shihet si një tjetër shenjë e mbështetjes së vazhdueshme institucionale dhe miqësisë së fortë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.