Një ditë para zgjedhjeve, Hyseni mbyll fushatën në Livoç të Poshtëm dhe Dheu i Bardhë

Kryetari aktual i Komunës së Gjilanit dhe kandidati për mandatin e dytë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, po e përmbyll sot fushatën zgjedhore me dy takime përmbyllëse me qytetarë.
Pas një muaji intensiv takimesh me biznese, qytetarë dhe struktura të ndryshme lokale, Hyseni dhe ekipi i tij po finalizojnë paraqitjet publike vetëm një ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Sipas njoftimit të bërë nga vetë Hyseni në rrjetet sociale, dy tubimet e fundit do të mbahen sot, e shtunë, më 11 tetor, në:
- Ora 18:00, në Shkollën fillore “Dëshmorët e Kombit” – Livoç i Poshtëm
- Ora 19:30, në Shkollën fillore “Rexhep Elmazi” – Dheu i Bardhë
Në postimin e tij, Hyseni ka theksuar rëndësinë e këtyre takimeve përmbyllëse, duke i cilësuar si një moment simbolik të përmbylljes së një muaji të mbushur me aktivitete dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët.
“Në ditën e fundit të kësaj fushate, me ju po e përmbyllim këtë muaj me shumë aktivitete që do të pasojë me festën e fitores nesër. BASHKË”, ka shkruar Hyseni.
Kandidati i Vetëvendosjes ka zhvilluar çdo ditë takime me qytetarë dhe biznese në lagje e fshatra të Gjilanit, ku ka prezantuar planet e Lëvizjes Vetëvendosje për mandatin e dytë, me fokus në zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, arsimin dhe përmirësimin e shërbimeve komunale.
Fushata përfundon sot, ndërsa nesër, më 12 tetor, qytetarët e Gjilanit do t’i drejtohen kutive të votimit për të vendosur për drejtimin e komunës në katër vitet e ardhshme.