Nga Vushtrria në majën e botës: Pranvera Hyseni operon teleskopët e NASA-s në Mauna Kea

Nga rrugët e Vushtrrisë deri në majën e Samitit të Mauna Kea, rrugëtimi i Pranvera Hysenit tingëllon si një histori që zakonisht lexohet në libra, por që sot po shkruhet në realitet. Shkencëtarja kosovare ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke operuar teleskopët më të avancuar të NASA-s në një nga qendrat më të rëndësishme astronomike në botë.
Përmes rrjeteve sociale, Hyseni ka ndarë emocionin e kësaj përvoje unike, duke treguar se ndihet sikur po jeton një ëndërr profesionale. Krahas punës me teleskopët e NASA-s, ajo ka testuar edhe teknologjinë më të re të kompanisë Celestron, lider botëror në pajisje astronomike, duke qenë pjesë e zhvillimeve më të fundit në fushën e astronomisë.
“Kurrë nuk e kisha besu që një ditë me pasë mundësinë me i operu teleskopët ma të avancum në botë të NASA-s, në majë të Samitit të Mauna Keas, dhe njëkohësisht me testu teknologjinë ma të re të Celestronit… Thjesht, andërr”, ka shkruar ajo, duke e përshkruar momentin si të pabesueshëm. Postimi dhe videot e saj kanë marrë reagime të shumta pozitive, duke ngjallur krenari dhe admirim nga publiku.
Siç raporton KultPlus, suksesi i Pranvera Hysenit është një dëshmi e qartë se shkencëtarët nga Kosova po japin kontribut të drejtpërdrejtë në projekte globale të shkencës dhe hapësirës. Historia e saj nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një frymëzim për brezat e rinj që ëndrrat e mëdha mund të realizohen, pavarësisht se nga fillon rrugëtimi.