Nga mesnata, ndryshojnë rregullat e hyrje-daljeve në BE për kosovarët

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka njoftuar qytetarët se nga data 12 tetor 2025, në disa pika kufitare kryesore të Bashkimit Evropian do të nisë zbatimi i Sistemit të Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES).
Ky sistem, i cili do të zbatohet gradualisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm në të gjitha pikat kufitare të BE-së, përdor teknologji biometrike për të regjistruar hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së. Në mënyrë specifike, EES mbledh të dhëna si shenjat e gishtërinjve dhe fotografi të udhëtarëve.
Sipas Ministrisë, qëllimi i këtij sistemi është përshpejtimi i kontrolleve kufitare, duke eliminuar nevojën për vulat në pasaportë dhe duke lehtësuar lëvizjen për qytetarët kosovarë.
Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e sistemit dhe do të informojë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë proces.