“Muri” kundër shkrirjes: ideja radikale për të shpëtuar akullnajën e Ditës së Gjykimit

Shkencëtarët po shqyrtojnë një ide që deri pak vite më parë do të tingëllonte si fantashkencë: ndërtimin e një “muri” gjigant nënujore për të frenuar shkrirjen e akullnajës Thwaites në Antarktidën Perëndimore. E njohur si “akullnaja e Ditës së Gjykimit”, Thwaites po shkrihet shumë më shpejt se parashikimet fillestare, duke ngritur alarmin për pasojat globale.
Kjo akullnajë kontribuon rreth 4 për qind të rritjes vjetore të nivelit të detit dhe, nëse do të shembej plotësisht, mund të shkaktonte rritje deri në 65 centimetra. Një skenar i tillë do të vinte në rrezik miliona njerëz që jetojnë në zona bregdetare në mbarë botën.
Për të ngadalësuar këtë proces, shkencëtarët propozojnë ndërtimin e një barriere fleksibile nënujore, rreth 152 metra të lartë dhe 80 kilometra të gjatë, e ankoruar në shtratin e detit. Qëllimi i saj është të bllokojë depërtimin e ujërave të ngrohta oqeanike që përshpejtojnë shkrirjen e bazës së akullnajës.
Projekti parashikon një fazë trevjeçare kërkimi dhe testimi të materialeve, si dhe matje të detajuara brenda akullnajës. Shkencëtarët theksojnë se kjo nuk është një zgjidhje për ndryshimet klimatike, por një përpjekje për të fituar kohë të çmuar, derisa bota të ndërmarrë masa më të forta për uljen e emetimeve dhe mbrojtjen e klimës