MPB njofton: Shërbime me orar të zgjatur në qendrat për dokumente

MPB njofton: Shërbime me orar të zgjatur në qendrat për dokumente

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga data 23 dhjetor deri më 15 janar 2026, të gjitha qendrat për pajisje me dokumente personale do të ofrojnë shërbime për qytetarët me orar të zgjatur, deri në orën 18:00.

Sipas Ministrisë, edhe dita e shtunë, më 27 dhjetor 2025, do të jetë ditë pune, dhe shërbimet do të ofrohen sipas të njëjtit orar të zgjatur. Ky vendim ka për qëllim lehtësimin e qasjes së qytetarëve dhe bashkatdhetarëve në dokumentet personale, duke marrë parasysh fluksin e shtuar gjatë periudhës së festave të fundvitit.

Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për zgjatjen e orarit në Agjencinë e Regjistrimit Civil është mirëpritur nga qytetarët. Disa prej tyre kanë theksuar se kjo praktikë u lehtëson shërbimet, sidomos për ata që vijnë nga jashtë vendit.

“Ky është vendim shumë i mirë. Kam ardhur për pushime dhe po e shfrytëzoj për të aplikuar për pasaportë. Na lehtëson shumë sepse nuk kemi stresin e kohës. Ne kemi ardhur prej Gjermanisë dhe kemi aplikuar për letërnjoftim. Nuk e kemi ditur që orari është zgjatur, por është vendim shumë i qëlluar,” tha një qytetar.

Rroksana Qarri, zyrtare për media në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njoftoi se:

“Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme informon qytetarët se shërbimet do të jenë në dispozicion deri në orën 18:00 për periudhën 23 dhjetor 2025 deri më 15 janar 2026, në të gjitha qendrat për dokumente. Po ashtu, dita e shtunë, më 27 dhjetor, do të jetë ditë pune dhe shërbimet do të ofrohen sipas të njëjtit orar të zgjatur. Ky vendim synon të lehtësojë qasjen në shërbime për qytetarët dhe bashkatdhetarët, duke marrë parasysh fluksin e shtuar gjatë festave.”

Qytetarët mund të shfrytëzojnë këtë mundësi për të aplikuar për dokumentet e nevojshme pa presionin e zakonshëm të orarit.