“MOHUAR”: Instalacioni që sjell për herë të parë rrëfimet e grave të cilave iu mohua e drejta e arsimit (1960–1980)

“MOHUAR”: Instalacioni që sjell për herë të parë rrëfimet e grave të cilave iu mohua e drejta e arsimit (1960–1980)

Galeria e Arteve “Galeria 17” në Prishtinë hap dyert më 9 dhjetor 2025, në orën 18:00, për një nga ekspozitat më të thella dhe reflektuese të Pop-up Art Week 2025: “MOHUAR”.

Ky projekt multimedial sjell për herë të parë në fokus rrëfimet personale të katër grave nga Kosova, të cilave iu mohua e drejta e arsimit gjatë periudhës 1960–1980.

Në dekadat e para të viteve 1960, arsimi fillor u bë i detyrueshëm për të gjithë fëmijët në Kosovë, por ky ndryshim ligjor rrallë reflektoi realitetin e jetuar nga vajzat shqiptare.

Kryqëzimi i patriarkalizmit, varfërisë dhe shtypjes së regjimit ndaj shqiptarëve ndikoi thellësisht në mundësitë arsimore të tyre, duke i privuar nga një e drejtë themelore.

“MOHUAR” sjell këto histori të heshtura në dritën e publikut, duke i bërë të prekshme dhe të gjalla përmes një instalacioni artistik që bashkon fotografi, narracion të shkruar dhe të folur.

Përmes punës së bashkëautoreve Aurela Kadriu dhe Gentiana Pallaska, vizitorët mund të ndjejnë dhe përjetojnë rrëfimet e:

  • Hedije Shala
  • Sanije Hoti
  • Shemsije Havolli
  • Xhezide Bajraktari

Ekspozita ndërthur dimensionin fizik dhe vizual të tregimit, duke krijuar një dialog intim me gratë që e kanë jetuar këtë mohim dhe duke nxjerrë në pah ndikimin thelbësor të vendimeve të marra për to, e jo me to, në trajektoret e jetës së tyre.

Projekti mbështetet nga organizata ProPeace, e përkushtuar në hapjen e bisedave mbi kujtesën dhe të kaluarën në Ballkanin Perëndimor, dhe paraqitet si një hulumtim i gjallë, në zhvillim, që sfidon harresën dhe rikthen kujtesën e grave të guximshme kosovare.

Ekipi krijues:

  • Instalacion dhe hulumtim: Aurela Kadriu & Gentiana Pallaska
  • Redaktore: Aulonë Kadriu
  • Video Montazhë: Erzë Pallaska
  • Producente: Luca Tesei Li Bassi

Ekspozita do të jetë një përvojë vizuale dhe emocionale, që ndërthur artin dhe historinë personale, duke ofruar një mundësi për reflektim mbi të shkuarën dhe fuqinë e rrëfimeve të heshtura.