Mbi 300 kërcimtarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia në “Dance Show Festival”

Më 20 dhjetor 2025, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, do të mbahet Dance Show Festival 2025, një ngjarje kulturore me karakter kombëtar dhe rajonal, që synon promovimin e artit të kërcimit dhe talentit të ri.
Festivali do të mbledhë në një skenë të vetme mbi 300 balerinë dhe kërcimtarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dhe nga disa shkolla të qytetit të Gjilanit. Programi do të përfshijë performanca nga fusha të ndryshme të kërcimit, përfshirë baletin, kërcimin modern, hip hop-in dhe kërcimin bashkëkohor.
Nga Gjilani, pjesë e festivalit do të jenë shkollat: “Selami Hallaçi”, “Don Bosko”, “Musa Zajmi”, “Abaz Ajeti” dhe “Nazmi Hoxha”, duke i dhënë eventit edhe një dimension të rëndësishëm edukativ dhe lokal.
Ngjarja do të zhvillohet në dy pjesë:
- Pjesa e parë nga ora 14:00
- Pjesa e dytë nga ora 15:00
Vlerësimi i performancave do të bëhet nga një juri profesionale e përbërë nga emra të njohur të fushës së kërcimit. Anëtar i jurisë është Endri Nebi, koreograf profesionist me mbi 15 vite përvojë në skenën shqiptare dhe ndërkombëtare, i diplomuar në Koreografi në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe i angazhuar në spektakle të mëdha televizive.
Në juri bën pjesë edhe Feim Leka, koreograf profesionist dhe pjesëtar i Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve “Shota”, me studime Master në Akademinë e Arteve në Tiranë, i njohur për përvojën e tij në kërcimin skenik dhe folklorik.
Pjesë e jurisë është edhe Ceca Pajdakova, themeluese dhe koreografe e Balet Studio Anabela, gjyqtare e licencuar në disiplinat IDO dhe WADF për Artet Performuese, si dhe organizatore e konkursit ndërkombëtar “Christmas Dance Competition” në Veles, Maqedoni.
Jurive i bashkohet edhe Genta Hoxha, koreografe e studios Pasion Dance në Fushë Kosovë, e diplomuar në Koreografi, me përvojë në realizimin e shfaqjeve dhe koncerteve të ndryshme artistike.
Dance Show Festival 2025 organizohet nga Shkolla e Vallëzimit Modern “Dancing House” dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke synuar të kontribuojë në zhvillimin e jetës kulturore në Gjilan dhe në promovimin e artit të kërcimit në nivel rajonal.