MASHT nis rishikimin e kurrikulave për klasat 1–9: Çantat më të lehta dhe nxënës më të përgatitur

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për rishikimin e kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për klasat nga 1 deri në 9. Raporti final dhe rekomandimet pritet të dorëzohen më së largu deri më 30 prill të këtij viti.
Ministrja në detyrë e MASHT-it, Arbërie Nagavci, ka theksuar se ky proces synon përditësimin dhe modernizimin e kurrikulave në përputhje me Kornizën Kurrikulare dhe kurrikulat bërthamë, me qëllim ngritjen e rezultateve të nxënësve dhe zhvillimin e kompetencave dhe shkathtësive të tyre.
Rishikimi synon gjithashtu harmonizimin e programeve mësimore me dokumente strategjike, zhvillimin e teksteve shkollore cilësore dhe të burimeve të tjera mësimore, si dhe lehtësimin e ngarkesës së fëmijëve dhe të peshës së çantës.
“Qëllimi ynë është krijimi i një sistemi arsimor që i përgjigjet nevojave të nxënësve, mësimdhënësve dhe zhvillimit afatgjatë të shoqërisë sonë,” shkruan Nagavci, duke nënvizuar përkushtimin e MASHT-it për avancimin e cilësisë së arsimit përmes politikave të qëndrueshme.