Maldivet bëhen vendi i parë me ndalim të përjetshëm të duhanit për brezat e rinj

Maldivet bëhen vendi i parë me ndalim të përjetshëm të duhanit për brezat e rinj

Maldivet kanë nisur zbatimin e një ndalimi të ri të pirjes së duhanit për të gjithë personat e lindur pas 1 janarit 2007, duke u bërë vendi i vetëm në botë që aplikon një politikë të tillë “brenda brezave”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Vendimi, i propozuar nga presidenti Mohamed Muizzu në fillim të këtij viti, hyri në fuqi më 1 nëntor. Sipas ministrisë, masa synon “mbrojtjen e shëndetit publik dhe promovimin e një brezi pa duhan”.

“Në bazë të dispozitës së re, individëve të lindur më 1 janar 2007 ose më pas u ndalohet blerja, përdorimi dhe shitja e të gjitha produkteve të duhanit brenda Maldiveve,” tha Ministria e Shëndetësisë, duke shtuar se ndalimi përfshin të gjitha format e duhanit dhe që shitësit me pakicë duhet të verifikojnë moshën para çdo shitjeje.

Ky ndalim zbatohen edhe për vizitorët në kombin e 1,191 ishujve të vegjël koralorë të shpërndarë përgjatë 800 km në Ekuator, të njohur për turizmin luksoz. Ministria njoftoi gjithashtu një ndalim të plotë për importin, shitjen, shpërndarjen, posedimin dhe përdorimin e cigareve elektronike dhe produkteve të avullimit, i cili vlen për të gjithë individët pa marrë parasysh moshën.

Shkelja e ndalimit për shitjen e produkteve të duhanit tek të miturit mund të sjellë një gjobë prej 50,000 rufiyaa (rreth 3,200 dollarë), ndërsa përdorimi i pajisjeve të avullimit mbart një gjobë prej 5,000 rufiyaa (rreth 320 dollarë).

Për krahasim, një ndalim i ngjashëm i propozuar në Mbretërinë e Bashkuar është ende duke u shqyrtuar ligjërisht, ndërsa Zelanda e Re, vendi i parë që miratoi një ligj të tillë, e shfuqizoi atë në nëntor 2023, më pak se një vit pas prezantimit.