Lutfi Haziri në Gjilan: “Qytetarët sot zgjodhën shpresën dhe besën”

Në ditën e parë të fushatës elektorale, Gjilani u mbush me shpresë dhe besim, teksa qytetarët i dhanë mbështetje të plotë Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke shënuar zyrtarisht nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, foli para turmës së qytetarëve, duke theksuar se kjo mbështetje është një shenjë e qartë se gjilanasit duan ndryshim dhe refuzojnë “terrën dhe gropën politike” ku vendi është futur.
“Ne, besimtarët e Rugovës dhe gardianët e Republikës, e kemi mbajtur fjalën e dhënë. Nuk u bashkuam me qeverisjen e keqe dhe me ata që kanë polarizuar skenën politike. Për LDK-në, familja, atdheu dhe besimi janë të shenjta”, deklaroi Haziri, duke i bërë thirrje qytetarëve të mbështesin vizionin e partisë për një të ardhme më të mirë.
Ai kujtoi rëndësinë e muajit dhjetor për LDK-në, vetëm pak ditë pas përvjetorit të themelimit të saj, dhe kërkoi mbështetje masive që data 28 dhjetor të shndërrohet në ditë feste për Gjilanin dhe Anamoravën. Haziri premtoi se përfaqësuesit e LDK-së do të jenë gardianë të projekteve zhvillimore dhe se besimin e qytetarëve do ta kthejnë me punë të ndershme dhe rezultate konkrete.
“Besimin tuaj do t’ua kthejmë veç me dashni e punë të hajrit për Gjilanin. Do të mbetem gjithmonë, Luta juaj”, përfundoi Haziri, duke lënë mesazhin e qartë të një fushate të bazuar në shpresë dhe angazhim për komunitetin.