Lotari në Paris: Fituesit do të prehen pranë Jim Morrison, Oscar Wilde e Édith Piaf

Lotari në Paris: Fituesit do të prehen pranë Jim Morrison, Oscar Wilde e Édith Piaf

Në Paris, lotaritë s’janë më vetëm për pushime apo makina – këtë herë, çmimi është pak më… i përjetshëm. Bashkia e qytetit ka hapur një lotari ku fituesit do të kenë mundësinë të sigurojnë një vend varrimi në disa prej varrezave më të famshme të botës, si Père-Lachaise, Montparnasse dhe Montmartre – aty ku prehen legjenda si Jim Morrison, Oscar Wilde, Édith Piaf e Jean-Paul Sartre.

Plani, i nisur nga autoritetet pariziene, synon të shpëtojë varret e vjetra e të harruara, duke i restauruar dhe kthyer në hapësira të denja për ata që ëndërrojnë një “banesë të fundit” me histori. Janë gjithsej 30 parcela të disponueshme, dhe çdo fitues do të ketë mundësi ta blejë varrin për rreth 4,000 euro, plus koston e restaurimit.

Nëse ky “biletë drejt përjetësisë” ju tingëllon si ofertë e mirë, duhet ta dini që një kontratë qiraje për varr fillon nga 976 euro për 10 vjet dhe mund të arrijë deri në 17,668 euro për të drejtën e përhershme për t’u prehur aty – përjetësisht pranë artistëve që frymëzuan breza.

Aplikimet janë tashmë të hapura dhe do të mbyllen më 31 dhjetor. Kostoja e pjesëmarrjes? Vetëm 125 euro për të hyrë në shortin më të pazakontë që ka njohur ndonjëherë Parisi.