“Lost Frames” i Samir Karahodës përfaqëson Kosovën në festivalin e filmit në Kanada.

Pas një prezantimi të suksesshëm në programin prestigjioz Cannes Focus Copro, projekti i parë i gjatë i regjisorit kosovar Samir Karahoda, Lost Frames, po vazhdon rrugëtimin e tij ndërkombëtar. Filmi është ftuar të marrë pjesë në Montreal Nouveau Marché, pjesë e Festival du Nouveau Cinéma, një nga platformat më të rëndësishme për filmin autorial në Amerikën e Veriut.
Në këtë kuadër, Lost Frames do të shfaqet në International Showcase, ku Karahoda do të ketë mundësinë të zhvillojë takime një-me-një me disa prej kompanive dhe platformave më të njohura botërore, përfshirë Netflix, Warner Bros, EuroImage, Arte Kino, Telefilm Canada, CBC dhe distributorë të nivelit ndërkombëtar.
Pjesëmarrja në këtë program është një arritje e veçantë, pasi këtë vit janë përzgjedhur vetëm 12 projekte nga e gjithë bota. Ky përfshirje i hap rrugë të reja bashkëpunimesh dhe e vendos kinemanë kosovare edhe më fuqishëm në hartën globale të industrisë së filmit.
Lost Frames është një projekt i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, në kategorinë “Zhvillim Projekti”, në kuadër të konkursit 2023–2024.
Montreal Nouveau Marché mbahet në qytetin Montreal, Kanada, si pjesë e festivalit të madh të filmit Festival du Nouveau Cinéma (FNC).
Ky festival është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të filmit autorial në Amerikën e Veriut dhe zhvillohet çdo vit në Montreal, duke sjellë bashkë regjisorë, producentë dhe distributorë nga e gjithë bota.