Lenë Osmani dhe Kreshnik Mahmuti dominojnë vitin 2025 – shpallen më të mirët në pingpongun kosovar

Në një mbrëmje festive të organizuar nga Federata e Pingpongut e Kosovës, u mbajt ceremonia solemne “Laureatët e Vitit 2025”, ku u vlerësuan sportistët, trajnerët, gjyqtarët dhe klubet që lanë gjurmë gjatë vitit në pingpongun kosovar. Në qendër të vëmendjes ishin dy emra që spikatën me paraqitjet e tyre – Lenë Osmani u shpall seniorja më e mirë e vitit, ndërsa Kreshnik Mahmuti u kurorëzua si seniori më i mirë për vitin 2025.
Ceremonia nxori në pah edhe talentet e rinj nga kategoritë U9 deri në U21, ku sportistë si Zana Bllaca, Andis Qeku dhe Akil Mahmuti konfirmuan potencialin e brezit të ri. Ndërkohë, në kategorinë e ekipeve më të mira u dalluan KVPP Prizreni (U15 Meshkuj), Prishtina F (Senior Femra) dhe Lidhja e Prizrenit (Senior Meshkuj), duke dëshmuar punën e vazhdueshme të klubeve në ngritjen e nivelit të garave.
Federata ndau çmime edhe për profesionalizëm dhe kontribut, ku Fitim Krasniqi u shpall Punëtori Sportiv i Vitit, Lulzim Bajraj Gjyqtari i Vitit, ndërsa Feat Osmani dhe Granit Gashi u vlerësuan si trajnerët më të mirë përkatësisht në konkurrencën e femrave dhe meshkujve. Mirënjohje të veçanta iu dhanë edhe figurave me ndikim afatgjatë si Bedri Hoti për 50 vite kontribut dhe Naim Azemi për arritjen e titullit ndërkombëtar “Blue Badge”.
Në përmbyllje, Federata e Pingpongut e Kosovës falënderoi institucionet dhe drejtoritë komunale të sportit për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se viti 2025 ishte një hap tjetër i rëndësishëm drejt forcimit të pingpongut kosovar në arenën vendore dhe ndërkombëtare.