Kurti nga Mitrovica: “Rritje pagash, ushtri e fortë dhe projekte zhvillimore për qytetarët”

Në hapje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 dhjetorit, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, prezantoi në Mitrovicë programin dhe zotimet kryesore të mandatit të ardhshëm qeverisës. Ai foli për një sërë masash sociale, ekonomike dhe infrastrukturore që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e vendit.
Kurti premtoi dyfishim të pagës minimale dhe pensioneve, shtesa për fëmijët dhe mbështetje financiare për nënat lehona, duke bërë të qartë se mandati i ardhshëm do të përqendrohet në përmirësimin e standardit jetësor. Ai gjithashtu theksoi krijimin e prokurorisë së re për krimin e organizuar, mbështetje për policinë dhe heqjen e kufizimit të punësimit për veteranët që marrin beneficione.
Në fushën e sigurisë, Kurti njoftoi rritjen e financimit për ushtrinë e Kosovës dhe investimin në fabrikën e municionit dhe dronëve “Made in Kosova”, duke filluar edhe programin e rezervës vullnetare. Ai gjithashtu prezantoi projekte të mëdha infrastrukturore dhe shëndetësore për Mitrovicën, përfshirë ndërtimin e rrugës Smrekovnicë–Mitrovicë, spitalin e ri, dy ura mbi lumin Ibër dhe investime në sport dhe çerdhe.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, vlerësoi punën e qeverisë në luftimin e krimit dhe përmirësimin e sigurisë, duke përmendur përparimet në bujqësi dhe bashkimin e komuniteteve të veriut dhe jugut. Kurti përfundoi fjalimin me thirrjen për qytetarët që më 28 dhjetor të votojnë për LVV-në, duke kërkuar një fitore më të madhe se ajo e 9 shkurtit.