Kryevepra e Saimir Kumbaros “Koncert në vitin 1936” rikthehet në Kino Armata

Kryevepra e Saimir Kumbaros “Koncert në vitin 1936” rikthehet në Kino Armata

Kino Armata hap dyert për një udhëtim në kohë me programin retrospektiv “Netët e Filmit Shqiptar”, duke sjellë për publikun kosovar një prej kryeveprave të regjisorit të shquar Saimir Kumbaro“Koncert në vitin 1936”. Shfaqja do të mbahet më 8 tetor, në orën 20:00, në versionin e restauruar të filmit, të kompletuar me titra në gjuhën angleze.

Filmi tregon rrugëtimin e dy artisteve të reja, një këngëtare dhe një pianiste, që largohen nga Tirana për të dhuruar muzikë në qytetet e provincës. Aventura e tyre përballet me mikpritjen e ngrohtë të banorëve lokalë, por edhe me sfida nga autoritetet, të cilat përpiqen të kufizojnë artin me logjikën burokratike dhe konservatore. Kulmi arrin në Lushnjë, ku përpjekjet për të ndaluar koncertin ngrenë tensionin dhe sfidojnë shpirtin artistik të heroinave.

Saimir Kumbaro, një nga kolonat e kinemasë shqiptare, arriti të vendoset si emër ikonë me këtë film të vitit 1978. Me mbi 90 dokumentarë dhe një trashëgimi të pasur kinematografike, Kumbaro ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit shqiptar.

Cikli “Netët e Filmit Shqiptar” realizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, duke rikthyer në ekran prodhime të rëndësishme të viteve ’70–’90 për të gjithë adhuruesit e kinemasë.