Kryediplomati gjerman: Jam fans i Dua Lipës

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, ka befasuar publikun me një deklaratë të sinqertë dhe plot humor për lidhjen e tij me muzikën e Dua Lipës.
Në një video të xhiruar brenda avionit qeveritar, gjatë kthimit nga turneu diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Wadephul shfaq telefonin e tij dhe tregon se në playlistën personale dëgjon albumin “Radical Optimism” të artistes shqiptare me famë botërore.
Kryediplomati gjerman shtoi edhe një detaj të veçantë, që shkaktoi reagime të shumta në rrjet:
“Kisha një biletë për të shkuar me vajzën time në koncertin e Dua Lipës, por pastaj u bëra ministër i jashtëm,” – tha ai me humor, duke nënkuptuar se detyrat e reja ia kanë ndryshuar planet.
Rrëfimi i Wadephul është pritur ngrohtë dhe ka krijuar një moment të rrallë njerëzor në mes të ngarkesës diplomatike, duke treguar edhe një herë ndikimin global të Dua Lipës – deri në kupolat më të larta politike.