“Krejt e Thirrin Rexhën” sonte premierë në Teatrin e Qytetit – Gjilan

Sonte, nga ora 20:00, Teatri i Qytetit në Gjilan do të presë premierën e filmit “Krejt e Thirrin Rexhën”, me regji nga Ibër Deari.
Ky film dramë/komedi tregon historinë e një fshati ku koha duket se ecën ndryshe dhe shumë dyer mbeten të mbyllura për shkak të largimit të banorëve. Emigracioni është i pranishëm në çdo shtëpi të boshatisur dhe në çdo rrugë të heshtur.
Mes gjithë kësaj mungese, Rexha – mjeshtri i fundit që nuk e ka braktisur vendin – shkon nga një shtëpi në tjetrën për të rregulluar gjëra të vogla, por së bashku me veglat, ai sjell edhe biseda, kujtime, të qeshura të papritura dhe histori që zakonisht mbeten mes katër mureve.
Përmes Rexhës, filmi ofron një pasqyrë të sinqertë të jetës së atyre që kanë mbetur, duke treguar si jetohet mes pritjes, mungesës dhe shpresës që nuk shuhet lehtë. “Krejt e Thirrin Rexhën” kombinon butësinë me humorin e hollë, edhe kur temat janë të rënda, duke e bërë tregimin më njerëzor dhe të afërt.
Filmi ka marrë vlerësime dhe çmime në festivale të njohura ndërkombëtare.
Në film luajnë aktorë të njohur si Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Ledion Mulaku, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Bereda Reshiti, Bujar Ahmeti, Labinot Raci, Adrian Aziri, Daniela Markaj dhe Sara Bajrami, të cilët sjellin energji natyrale dhe autencitet në ekran.
Premiera organizohet nga Mobikino dhe Ernest Zymberi.
Për shkak të interesimit të madh, biletat shiten vetëm në biletarinë e Teatrit të Gjilanit, pa rezervime paraprake.
Për më shumë informacion: Tel: 045 222 525