“Krejt e thirrin Rexhën” shkëlqen në TIFF 2025 me katër çmime të mëdha

Filmi artistik “Krejt e thirrin Rexhën”, me regji të Ibër Dearit, wshtw njw nga fituesit më të mëdhenj të edicionit të këtij viti të TIFF – Tetova International Film Festival 2025, duke u shpërblyer me katër çmime të rëndësishme.
Në një atmosferë festive dhe plot emocion, filmi shqiptar u nderua me çmimin kryesor “Filmi më i mirë”, ndërsa u vlerësuan edhe aktorët për interpretimet e tyre të spikatura:
- Afrim Muçaj – Aktori më i mirë në rol kryesor
- Adriana Matoshi – Aktorja më e mirë në rol dytësor
- Ledion Mulaku – Aktori më i mirë i ri
Regjisori Deari, i emocionuar nga suksesi, falënderoi organizatorët e festivalit, jurinë dhe publikun që mbushi sallat e Tetovës. Ai theksoi se ky film është fryt i një pune kolektive, i realizuar me pasion dhe përkushtim nga një ekip i jashtëzakonshëm.
TIFF – një urë për kinemanë e rajonit
Tetova International Film Festival (TIFF) vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, duke promovuar kinemanë shqiptare dhe ballkanike, si dhe duke ofruar hapësirë për talentet e reja dhe projektet që sjellin zëra e histori të reja në ekranin e madh.
Me katër çmime të fituara në këtë edicion dhe një rrugëtim ndërkombëtar që po vazhdon, “Krejt e thirrin Rexhën” dëshmon edhe një herë fuqinë dhe potencialin e kinemasë shqiptare në skenën botërore.
Një film me rrugëtim ndërkombëtar
“Krejt e thirrin Rexhën” nuk është i panjohur për skenën ndërkombëtare të kinemasë. Më herët, ai është shpërblyer me çmimin “Filmi më i Mirë” në kategorinë Meridiana të Bari International Film Festival në Itali, një platformë prestigjioze për filma nga vendet e Mesdheut.
Udhëtimi i filmit në qytetet e Evropës
Pas sukseseve të mëdha, filmi vazhdon rrugëtimin e tij në disa qytete të rëndësishme të Evropës dhe rajonit:
- 14 shtator – Bern (shfaqur)
- 16 shtator – Tetovë (shfaqur)
- 22 shtator – Manastir (shfaqet sot)
- 25 shtator – Tiranë (do të shfaqet)
- 30 shtator – Bruksel (do të shfaqet)
