“Krejt e Thirrin Rexhën” me premierë në Stamboll, një hap historik për kulturën shqiptare

Filmi “Krejt e Thirrin Rexhën” me regji të Ibër Deari, me 5 dhjetor do të shfaqet për herë të parë para komunitetit shqiptar në Stamboll, duke shënuar një moment të rëndësishëm për afirmimin e kulturës dhe gjuhës shqipe jashtë vendit.
Ky film i gjatë ka pasur një rrugëtim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar dhe është vlerësuar me çmime të shumta, duke i dhënë një dimension global historisë që trajton: emigrimin dhe jetën në fshatrat shqiptare.
Organizimi i premierës është realizuar nga Lidhja e Rinisë Shqiptare në Turqi (Arnavut Gençlik Birliği), nën udhëheqjen e kryetarit Yasin Yurdakul Pllana, një hap historik për komunitetin shqiptar në diasporë.
Me rastin e festave të Nëntorit, shqiptarët në Stamboll do të kenë mundësinë të shohin për herë të parë në kinema një film të prodhuar dhe të folur në gjuhën shqipe.
Në Komunën e Bajrampaşës, reklamat e filmit janë vendosur nëpër të gjitha tabelat publike të reklamave, duke u përhapur gjerësisht deri në ditën e premierës.
Regjisori Ibër Deari ka shprehur emocionet e tij në profilin e tij në Facebook, duke theksuar se “të shohësh filmin në zemër të Stambollit është nder i jashtëzakonshëm”. Ai ka falënderuar nga zemra Lidhjen e Rinisë Shqiptare në Turqi për përkrahjen dhe mundësinë që filmi të prezantohet për herë të parë para komunitetit shqiptar atje.
Filmi ofron një rrëfim të fuqishëm, me personazhe autentike dhe energji të pastër emocionale, duke i mbledhur shikuesit rreth një historie që pasqyron gjuhën e jetës së përditshme dhe realitetin e komuniteteve shqiptare.
Premierë e këtillë shënon një kapitull të ri të bashkëpunimit kulturor dhe prezencës së artit shqiptar në Turqi, duke forcuar lidhjen mes diasporës dhe kulturës së vendlindjes.