KQZ njofton: Nuk ka buxhet për zgjedhje të jashtëzakonshme

Në një kohë kur po shtohen mundësitë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në dhjetor, pas dështimit për formimin e Qeverisë së re, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka buxhet të paraparë për organizimin e një procesi të ri zgjedhor parlamentar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për RTV21 se në raste të tilla, kur shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme, KQZ-ja përgatit planifikimin buxhetor dhe ia dërgon Qeverisë për miratim, pasi institucioni nuk ka fonde të parapara për procese të paplanifikuara.
Sipas Elezit, edhe pse një proces i ri zgjedhor do të ishte sfidues për KQZ-në, sidomos në kohën kur janë ende duke u përmbyllur zgjedhjet lokale, institucioni do t’i përmbushë të gjitha detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore në momentin kur zgjedhjet shpallen zyrtarisht.
“Sa i përket debateve për zgjedhje te jashtëzakonshme KQZ -ja ashtu siç ka thënë do të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore në momentin kur zgjedhjet shpallen zyrtarisht. Natyrisht që një proces i ri zgjedhor është sfidues për KQZ sepse aktualisht jemi në proces të përmbylljes së zgjedhjeve lokale. Për një proces të ri zgjedhor parlamentar KQZ-ja s’ka buxhet të planifikuar sepse këto do të ishin zgjedhje të paplanifikuara. Në raste të tilla KQZ-ja përgatitë planifikimin buxhetor dhe kërkesën e dërgon për miratim në Qeveri”, tha Elezi